Perëndimi i diellit romantik
Sa i bukur është dielli kur ngrihet në agim,
Si një eksplozion duke thirrur : - "Mirëmëngjes"!
- Është fatlum kush plot pasion mund të përshëndesë,
Perëndimin më të bujshëm se një ëndërrim !
Kam parë çdo gjë... burimin, lulen, hullinë,
Të meken poshtë tij, si një zemër në hekë...
S'ka kohë, drejt horizontit, të grahim shpejt,
Që së paku një rrezet të pjerrët ta arrijmë!
Por kot e ndoqa Zotin që u praps si një valë,
E pandalshme nata sundon si gërmadhë,
E errët, e lagësht, me fërgëllima e zi;
Që nga varret një erë errësirave bredh,
Dhe hapi im trembacak shkel moçaleve në breg,
Të beftat thithëlopa e qullacët kërmij.
Prehje Shpirtërore
O dhimbje, shtrohu pak, tregohu më e qetë.
Ti po kërkoje mbrëmjen; ja, zbriti ngadalë,
Një atmosferë e errët dyndet mbi qytet,
Dikujt i sjell qetësi, të tjerëve një andrallë,
Ndërsa turma zuzare e vlugut u nis,
Nën fshikullimën e Qejfit, xhelatit tinëzar,
Të mbarset me pendime, në llurbë të orgjisë,
Dhimbje, nëma dorën, eja këtu pranë,
Larg tyre, Shih si përkulen të firët e vite,
Mbi ballkonet e qiellit, me veshje arkaike;
Nga ujërat duke dalë, Hidhërimi buzëqesh;
Shih, dielli poshtë urës përgjumet në hekë,
Nga lindja si qefin po zvarget, mba vesh,
Mba vesh e dashur, Nata po çapit lehtë.
Pikëllimet e Hënës
Sonte, hëna ëndërron me më shumë dembeli;
Si një bukuri e rrallë, mbi jastëkë pafund,
Me një dorë të lehtë e hutaqe mbi gjinj,
Duke lëmuar konturet e lëbyret për gjumë,
Mbi kurrize ortekësh të artë në rrungajë,
Lëshohet si e vdekur e bije në zali,
Dhe sytë kapsallit mbi vegimet e bardhë,
Që ngjiten si lule në kaltërsi.
Në lëngimet e ngeshme mbi këtë glob, ndonjëherë,
kur një lot i vidhet tinës e bjerr
Një endacak pa gjumë, një poet i përshpirt,
Në pëllëmbë këtë lot të venitur e mban,
Me shkërpica të ylberta si një copëz opal,
E larg syve të diellit e vendos në shpirt.
Shija e hiçit
Shpirti i vrugët, dikur nëpër luftëra, me nam,
Por shpresa, që cingëriste me shporr zjarrin tënd,
Nuk të grish më mbi gjok! Gremisu në një kënd.
Kalë plak që pengohesh në çdo ledh e anë.
Bindu zemra ime; bëj gjumin tënd nopran!
Për ty kusar plak, shpirt që u mund, u shemb,
Dashuria u zvjerdh e grindjet shije s'kanë,
Lamtumirë, psherëtimë flauti e këngë si metal!
E qejfe, mos cytni një gji të zymtë që dhemb!
Pranvera humb aromën, u bë shkrumb në çdo vend!
Zgrip i kohës çdo çast më hurb, më përlan!
Si një kufomë të ngrirë bora e dendur, e rëndë,
Që lart shoh mbi glob, mbi rrokullinë e gjerë
E më s'kërkoj strehën e një shtogu që më mban.
A s'më merr Ortek në humbellë me rropamë?
Albatrosi
Shpesh, kur marinarëve u shkrepet për dëfrimet,
Zënë albatrosë, zogj të mëdhenj detarë,
Që ndjekin të plogët, si shokë në shtegtime
Anijen që rrëshqet mbi hone e llahtarë.
Ndërsa i plandosin si qyqarë mbi kuvertë,
Këta mbretër të qiejve sa të turpshëm rrinë,
Dy krahët e mëdhenj e të bardhë, të shkretë
U varen përdhe si lopatat përbri.
Sa i flashkët, i ngathët ky shtegtar me krahë!
Ai - aq i bukur, sa i shëmtuar, sa i mjerë!
Një detar i nget sqepin me llullë, e tall,
Tjetri shkërben sakatin që bëhej erë!
Poeti i përngjan këtij princi lart në re,
Që s'u ndahet stuhive e s'pyet për harkëtar;
I mërguar përmbi tokë midis britmave; hye,
Pengohet e s'ec prej krahëve gjigantë.
Njeriu dhe deti
Njeri i lirë, detin do ta duash ngaherë!
Deti është imazhi yt, ti sodit nëpër valë
Shpirtin tënd, në gremisjet e tyre paanë,
Dhe ti s'je më pak lebeti e humnerë.
Të pëlqen të fundosesh në imazhin që i ngjan:
E përfshin me sy e krahë sa ndonjëherë,
Zemra jote as oshtimën e vet s'e ndjen
Në atë rënkim të pazbutur si virrmë e vikamë.
Ju jeni të dy fjalëpakë e misteriozë,
Njeri, kërkush honet e tua s'i ka parë,
O det, kërkush s'ti njeh thesaret e rrallë,
Kaq jeni të frikshëm, kaq jeni xhelozë!
Por prapë në shekujt e panumërt, pa çarë kokë,
Ju luftoni të dy pa pushim, pa mëshirë,
Kaq e doni shfarosjen, vdekjen e kërdinë,
O armiq të përjetshëm, o vëllezër mizorë!
Parfum tropikal
Në një vjeshtë të nxehtë, teksa dita po firon,
Pranë gjinjve gjithë afsh symbyllur gjerb parfum,
Befas më shtillen ca brigje fatlumë,
Që i verbon rrezja e një dielli monoton.
Një ujdhesë e plogët, ku natyra pjell
Pemë plot çudi e fruta që shijojnë shumë,
Burra rrusp, shtathollë që s´ligen asnjëherë,
Dhe vajza sy dëlira me vështrimin që kumbon,
Prej myshkut tënd çatis në këto vende të qetë,
Shikoj një skelë kapicë me vela, me direkë,
Të drobitur nga valët që merr frymë me zor.
Ndërkaq parfumi i marenëkuqes së blertë,
Në ajër vjen rrotull dhe flegrat m’i shpon
E ndërlikset në shpirt me këngët përmbi det...
Përkthime me varg të lirë
Floknaja
O flokë dallgëzues gjer mbi qafë
o krela, erë e mirë ngarkuar me rraskapitje!
Dalldi, për të mbushur dhomëzën e errët
me kujtimet që flenë në këtë floknajë
do ta shkund atë në ajër si shami!
Azia e venitur Afrika e përvëluar
krejt një botë e largët e humbur gati e vdekur
jeton në thellësitë e tua, pyll aromatik
Ashtu si të tjerë shpirtra lundrojnë mbi muzikë
i imi e dashur vozit mbi kundërmimin tënd
Do shkoj atje poshtë ku pema e njeriu plot lëng
meken gjatë nën afshin e atmosferës
Gërsheta të forta, bëhuni dallga që më rrëmben!
Det abanozi ti mban një ëndërr shkreptimtare
anijesh vozitësish flakësh e direkësh,
një port kumbues ku shpirti im mund të pijë
me shkulma parfumin tingullin e ngjyrën,
ku vaporët duke rrëshqitur në ar e në mermer
hapin krahët e tyre që të përfshijnë lavdinë
e një qielli të pastër ku vlon ngrohtësia e përjetshme!
Do zhys kokën time të dehur
në këtë oqean të errët ku tjetri është mbyllur brenda
e shpirti im i hollë që ledhatohet nga tundja
do dijë t’ju gjejë përsëri o plogështi pjellore
përkundje të pafundme ëndjesh kundërmuese
Flokë blu shatorre errësirash të shpalosura
ju më jepni kaltërsinë e qiellit të madh të rrumbullt,
Mbi brigjet kadife të cullufeve të spërdredhura
dehem gjithë dëshirë nga aromat e përziera
të vaj kokosit të myshkut e ziftit.
Shumë kohë ngaherë dora ime në kreshtën tënde të trashë
do mbjellë rubinin perlën e safirin
që kurrë të mos i bëhesh e shurdhët dëshirës sime.
A nuk je oazi ku ëndërroj e susaku
ku shklluq me gulfa të gjata verën e kujtimit?
Harmoni e mbrëmjes
Ja po vjen koha kur plot dridhma mbi kërcell
çdo lule avullon si temjanicë
Tingujt dhe parfumet në ajrin e mbrëmjes
sillen si vals melankolik si limonti kapitëse
çdo lule avullon si temjanicë,
violina rrëqethet si një zemër që pikëllohet
vals melankolik e limonti kapitëse
Qelli i trishtë i bukur si një altar i madh,
violina rrëqethet si një zemër që pikëllohet,
një zemër e dashur që urren hiçin e gjerë të zi
qielli është i trishtë i bukur si një altar i madh
e dielli mbytet në gjakun e vet që ngrin
Një zemër e dashur që urren hiçin e gjerë të zi
nga e shkuara plot dritë mbledh çdo mbeturinë
dielli mbytet në gjakun e vet që ngrin,
e kujtimi yt më ndrit si naformbajtëse
Një kalimtareje
Rruga shurdhuese rreth meje ulërinte.
Shtatlartë e hollë në zi e dhimbje madhështore
një grua kaloi duke ngritur e përkundur
kindat e dantellës me dorën shkëlqimtare.
E lehtë e fisnike këmbën prej statuje.
Unë skllupja i ngërdheshur si një i marrë
në syrin e sajë si qiell i irnosur ku mbin uragani,
ëmbëlsinë që magjeps e kënaqësinë që vret...
Një shkreptimë… prapë natë - bukuri shkreptimtare
që me vështrimin më bëre befas të rilind
nuk do të shikoj më veçse në amshim?
Gjetiu larg që këtu, shumë vonë, ndoshta kurrë
sepse unë nuk e di ku ikën, ti, s’e di ku shkoj unë,
o ti që të pata dashur, o ti që këtë e dije
I vdekuri i gëzuar
Në një tokë të trashë e plot kërmij
unë vetë dua të gërmoj një gropë të thellë
ku të mund të shtrij me nge kockat e mia të vjetra
e të flejë në harrim si peshkaqeni mbi dallgë
I urrej testamentet i urrej varret
sa të kërkoj një lot të botës
më mirë do doja në të gjallë të ftoj korbat
të thithin gjak gjithkund skeletit tim të fëlliqur
O krimba shokë të zinj pa veshë e pa sy
shikoni se ju vjen një i vdekur i lirë e i gëzuar
filozof qejfli bir i kalbësirës
Përmes gërmadhës sime shkoni pa u penduar
e më thoni në ka ndonjë torturë tjetër akoma
për këtë trup të vjetër pa shpirt e të vdekur mes të vdekurish
Spleen
Kur toka kthehet në një burg të lagësht,
ku Shpresa si lakuriqi i natës i’a mbath,
duke rrahur muret me krahun e druajtur
duke përplasur kokën mbi tavanet e kalbur.
Kur shiu duke shpalosur litarët e pafund
ngjan me hekurat e një burgu të madh,
e një popull memec merimangash të pështira
vjen të shtrijë rrjetën në fund të truve tanë...
Kambanat krejt papritmas hovin gjithë zemërim,
hedhin drejt qiellit një vikamë lebetitëse
si shpirtrat endacakë e paatdhe
që nisin të rënkojnë me ngulm të paepur.
E funeralë të gjatë karrocash pa muzikë pa daulle
parakalojnë ngadalë brenda shpirtit tim,
E mundur Shpresa qan e Ankthi mizor e tiranik
mbi kafkën time të përkulur ngul flamurin e zi.
Spleen
Kam më shumë kujtime se të isha njëmijë vjeç.
Një mobilie e madhe me sirtarë deng me bilance
krimba letra dashurie akt padi romanca,
me rrotulla të rënda flokësh nëpër dëftesa
fsheh më pak sekrete se truri im i pikëlluar.
Ky është një piramidë një qilar i madh
që nxë më shumë kufoma se një varr i përbashkët.
- Unë jam një varrezë e urryer nga hëna
ku si prej pendimesh zvarriten krimba gjatoshë,
që ndjekin këmba këmbës kufomat e mia të dashura.
Jam një sallon i vjetër përplot më trëndafila të fishkur
ku gjendet një mishmash modash të vjetruara,
ku pastelet vajtuese e Kasapë të zverdhur
të vetëm thithin erën e një shisheje të shtaposur.
Asgjë s’ia arrin në gjatësi ditëve çalamane,
kur nën tufat e rënda të viteve me borë
mërzia fryt i moskokëçarjes së zymtë
merr përmasat e pavdekësisë.
-Sot e tutje ti s’je më o lëndë e gjallë
veç një granit i mbështjellë nga një tmerr i vagët
e përgjumur në fundin e një Saharaje të mjegullt.
Një sfinks i panjohur nga bota e shkujdesur,
i harruar mbi hartë me humorin gjakatar
që këndon veç në rrezet e diellit që perëndon.
Spleen
Muaji Plyviòz, i zëmëruar kundër gjithë qytetit,
me urnën u hedh shtamba të ftohti misterioz
banorëve të zbehtë në varrezën pranë
e vdekje lagjeve punëtore gjithë mjegull.
Macja ime mbi dysheme duke kërkuar një shtrojë
tund pa pushim trupin e thatë me zgjebe;
shpirti i një poeti të vjetër endet në ulluk
me zërin e trishtuar të një fantazme mërdhace.
Grerëza vajton, e kërcuri i tymosur
shoqëron zëhollë orën gjithë rrufë mbi mur,
ndërkohë, në një palë letra plot parfume të ndyra,
trashëgimi fatale e një plake hidropike,
fanti i bukur i zemrës dhe dama pik
kobshëm bisedojnë për dashuritë e ndjera.
Humnera
Paskali kishte honin e tij, lëvizte bashkë me të,
- Sa keq! Çdo gjë është humnerë, - punë, dëshirë, ëndërr,
fjalë! E mbi qimen time që ngrihet drejt,
sa e sa herë nga Frika ndjej të kalojë era.
Lart, poshtë, kudo, thellësia, ranishta,
heshtja, hapësira plot tmerr e robëri…
në fundin e netëve të mia Zoti me gishtin e ditur
vizaton një ankth shumëformësh pa vendqëndrim.
Druaj gjumin, siç druhet një vrimë e madhe
plot tmerr të errët, që shpie kushedi se ku;
s’shikoj nga dritaret veç pafundësinë,
dhe shpirti im, i pa shqitur nga trallisjet,
lakmon pandjeshmërinë e hiçit.
- Ah! Të mos dalësh kurrë nga Numrat e nga qeniet!
Peizazh
Dua, për të krijuar me dëlirësi bukoliket e mia,
të fle në qiell të hapur, ashtu si astrologët,
dhe, ngjitur me kambanarët, të dëgjoj duke ëndërruar
himnet e tyre madhështore që i rrëmben era.
Dy duart në mjekër, nga maja e papafingos,
do shikoj punishten që këndon e llomotit;
ulluqet, kambanarët, këto direkë të qytetit,
e qiejt e mëdhenj që e bëjnë përjetësinë tw ëndërrojë.
Është e ëmbël, përmes mjegullave, të shikosh të lindë
ylli në qiell, llamba në dritare,
lumenjtë e qymyrit të ngjiten në kupën qiellore
dhe hënën të derdhë magjinë e zbehtë.
Do shikoj pranverat, verat, vjeshtat;
dhe kur të vijë dimri me borërat monotone,
do mbyll kudo perdet e rënda e kanatet
për të ndërtuar natën pallatet e mia magjike.
Atëherë do ëndërroj horizonte kaltëroshe,
kopshte, shatërvanë që qajnë në alabastër,
dhe gjithçka që Idili ka më fëmijërore.
Rebelimi, që çirret më kot në xhamin tim,
nuk do mund të më ngrejë ballin nga banka
sepse do jem i zhytur në ëndjen
për të ndjellë Pranverën me dëshirë,
për të nxjerrë nga zemra ime një diell,
e prej mendimeve përvëluese të bëj një atmosferë të vakët.
Makth
Pyje të mëdhenj, ju më llahtarisni si katedralet,
ulërini si organo; e në zemrat tona të mallkuara,
dhoma të dhimbjes së përjetshme ku tingëllojnë grahma të vjetra,
përgjigjen oshtimat e De profundis tuaj.
Të urrej, Oqean! Hovet e tua e zallahitë e tua,
shpirti im i rigjen brenda vetes; këtë qeshje të hidhët
të njeriut të mundur, plot ngashërime e fyerje,
unë e dëgjoj në qeshjen e madhe të detit.
Sa do të pëlqeja, o natë! pa këto yje
ku drita flet një gjuhë të njohur!
Sepse unë kërkoj zbrazësinë, errësirën e lakuriqen!
Sepse errësirat vetë janë pëlhura
ku jetojnë, duke gëluar me mija nga sytë e mi,
qenie që i’u zhdukën vështrimeve familjare.
Henri Hignard-it
Sa keq! Kush s’ka rënkuar mbi altar e mbi vetveten?
E kush s’i ka thënë Perëndisë: «Më ndje o Zot,
nëse kërkush s’më do e kërkush s’ka zemrën time!
Ato më kanë prishur çdo gjë; Asnjeri nuk të don! » ?
Atëherë i lodhur nga bota e nga fjalët e kota,
duhet t’i ngrejë sytë në kubetë pa re,
e t’u drejtohet veç imazheve të shurdhët,
të atyre që s’duan fare, ngushëlluesve pa lakmi.
Atëhere, duhet të mbledhë rreth vetes misterin,
t’u fshihet vështrimeve, e pa skrutë e pa vrer,
të mos u thotë fqinjëve: « Unë nuk dua, veç qiellin »,
t’i thotë Zotit: « Ngushëlloje shpirtin tim të tokës! »,
Kështu, i kyçur nga priftërinjtë, monument zemërbutë,
kur mbi çatitë e zymta nata zbret,
kur turma le rrugët,
mbushet me heshtje e prehje shpirtërore.
Kambana e plasaritur
Sa e hidhët dhe e ëmbël, gjatë netëve të dimrit,
të dëgjosh, pranë zjarrit që vërgllon e bën tym,
kujtimet e largëta të ngrihen lart ngadalë me zhurmën
e kumbimit të kambanave që këndojnë në mjegull.
Kambana e lumtur me gurmazin e fortë
që, megjithë pleqërinë, e gjallë e shëndetshme,
hedh britmën e saj të thellë besnikërisht,
si një ushtar i vjetër që e gdhin nën shatorre!
Unë, shpirti im është i plasaritur, kur në mërzi
ai do të mbushë ajrin e ftohtë të netëve me këngët e veta,
ndodh shpesh t’i ligështohet zëri,
i ngjan grahmës së trashë së një të plagosuri të harruar
buzë një liqeni gjaku, nën një pirg të madh të vdekurish,
e që vdes, pa lëvizur, në përpjekje të pamasa.
Ballkoni
Nënë e kujtimeve, e vluara e të vluarave,
o ti, gjithë kënaqësitë e mia! O ti, gjithë detyrimet e mia!
Do ta kujtosh bukurinë e përkëdheljeve,
ëmbëlsinë e zjarrishtës dhe nurin e mbrëmjeve,
nënë e kujtimeve, e vluara e të vluarave!
Në mbrëmjet me dritën e afshit të qymyrit,
në mbrëmjet në ballkon, veshur me avujt e trëndafiltë.
Sa i ëmbël më dukej gjoksi yt! Sa e mirë zemra jote!
Kemi thënë shpesh gjëra të pavdira
në mbrëmjet me dritën e afshit të qymyrit.
Sa të bukur janë diejt mbrëmjeve të ngrohta!
Ç’hapësirë e thellë! Çfarë zemër e fuqishme!
I përkulur drejt teje, mbretëreshë e të adhuruarave,
më bëhej se thithja erën e mirë të gjakut tënd.

Trashej nata si gardh,
e sytë e mi në errësirë gjenin bebëzat e tua,
dhe hurbja frymën tënde, o ëmbëlsi, o helm!
E këmbët e tua kapiteshin në duart e mia vëllazërore.
Trashej nata si gardh.
E di artin si ndillen çastet e lumtura,
ndër gjunjët e tu gjej prapë të shkuarën time të porritur.
Kot t’i kërkoj bukuritë e tua lënguese tjetërkund
veç në trupin tënd të shtrenjtë e në zëmrën tënde të ëmbël!
E di artin si ndillen çastet e lumtura!
Këto betime, këto kundërmime, këto puthje pafund,
do rilindin vallë prej greminës ku ne s’mund të depërtojmë,
ashtu si ngrihen në qiell diejt e përtërirë
pasi lahen në fund të deteve të thellë?
- O betime! o kundërmime! o puthje pafund

No comments:
Post a Comment